Rreth nesh

Kush është Kisha Nxënësit e Jezusit

Nëse po lexon këtë mesazh, ndoshta kemi pasur kënaqësinë të të kemi në një nga takimet tona. Na lejo të të prezantohemi.

Çfarë besojmë

Kisha “Nxënësit e Jezusit” është një kishë e krishterë ungjillore.

Jezusi dhe Bibla

Ne besojmë në Shpëtimtarin Jezus dhe në Biblën si Fjala e Perëndisë.

Adhurimi

Ne adhurojmë Zotin si krijues dhe sundues të gjithësisë.

Shpëtimi me anë të besimit

Ne besojmë se falja, shpëtimi, ndryshimi, ripërtëritja, shpengimi dhe pranimi në një marrëdhënie me Perëndinë vijnë nëpërmjet besimit në Krishtin Jezus, me anë të dashurisë së Perëndisë.

Vizioni dhe misioni

Që çdo shqiptar dhe mbarë kombet përreth të njihen me dashurinë e Krishtit.

Vizioni ynë · Veprat e Apostujve 1:8, Mateu 28:18–20

Duke qëndruar në dashurinë dhe bindjen ndaj Perëndisë:

  1. Ndajmë ungjillin e Krishtit me të tjerët.
  2. Dishepullizojmë dhe ngremë udhëheqës shërbëtorë.
  3. Shkojmë te kombet.

Vlerat udhëheqëse

Krishti, udhërrëfyesi ynë

Ne besojmë që Krishti është Perëndia Bir, pjesë e Trinisë krijuese, i cili ishte përpara çdo gjëje dhe me anë të të cilit u bënë të gjitha. Ai erdhi në tokë në trajtë njerëzore për të shlyer dënimin me vdekje që meritonim ne për mëkatet tona. Vetëm nëpërmjet Tij kemi faljen e mëkateve, nëse besojmë në Të. Krishti është shembulli ynë dhe ne synojmë të jemi si Ai.

Bibla është autoriteti ynë, mishërimi i komunikimit të Perëndisë me njeriun. Ajo përcakton se si duhet të veprojmë në kishë, në familje dhe në punë, dhe është pika jonë e referimit në çdo vendimmarrje.

Gjoni 14:4–13 · Gjoni 1:12 · Filipianëve 2:5–8 · 2 Korintasve 13:4 · Gjoni 17:4 · Luka 5:15–16
Udhëheqës shërbyes
  • Udhëheqës që kanë zemër shërbëtori dhe jo që të shërbehen.
  • Nëse dëshiron të jesh udhëheqës, duhet të jesh shërbëtor.
Qeverisje nga pleqësia dhe pastori

Ne besojmë se Shkrimi na mëson që kisha lokale udhëhiqet nga burra me karakter të perëndishëm, të thirrur si pleq, që të kërkojnë dhe të dallojnë vullnetin e Perëndisë dhe të kujdesen për kopenë e Tij.

Të udhëheqim nga hiri
  • Përpiqemi të udhëheqim nga një themel i njohjes dhe përjetimit të hirit të Perëndisë në jetën tonë.
  • Të kemi hir ndaj të tjerëve, ashtu si Perëndia tregon hir ndaj nesh.
Të udhëheqim nga dashuria për Perëndinë dhe dashuria vëllazërore

Është e rëndësishme të shërbejmë nisur nga dashuria për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin.

Të udhëheqim me përulësi

Një udhëheqës është i pari ndër të barabartët.

Pajisja e besimtarëve
  • Ne besojmë që anëtarët dhe pjesëtarët kanë nevojë të përdorin dhuntitë e tyre shpirtërore në shërbim të Perëndisë.
  • Është shërbesa e udhëheqësve të kishës që t’i pajisin besimtarët për veprën e shërbimit.
Konflikti i shëndetshëm është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm

Në çdo nivel të strukturës sonë: në pleqësi dhe bord, në staf, te drejtuesit e grupeve të vogla dhe të shërbesave.

Fokus te familja

Përpiqemi të sigurojmë një atmosferë dhe burime që forcojnë martesat dhe familjet në tërësi.

Struktura dhe autoriteti

Kisha jonë beson që çdo person me autoritet duhet të jetë vetë nën autoritet, për të qenë i shëndoshë. Gjithashtu besojmë që përgjegjësitë duhen deleguar te të tjerët sipas shkallës së pjekurisë. Autoriteti i shëndoshë dallohet së pari nga zemra për të shërbyer, jo për t’u shërbyer.

“Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato, por midis jush nuk do të ndodhë kështu; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e Tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.”

Mateu 20:25–28 · Gjoni 13:13–14
  1. Autoriteti i parë nën Perëndinë për ne është Bibla.
  2. Mes njerëzve, autoriteti më i lartë i kishës Nxënësit e Jezusit është pleqësia.
  3. Pas pleqësisë vjen pastori.
  4. Pas pastorit vijnë stafi i kishës, drejtuesit e shërbesave dhe të grupeve të vogla, ku synohet të përfshihen të gjithë pjesëtarët e kishës.

Në raste mosmarrëveshjesh, çdo pjesëtari të kishës i kërkohet të ndjekë dokumentin e kishës “Hapat për zgjidhjen e shëndoshë të konflikteve”. Gjithashtu këshillohet që çdo nxënës i Jezusit të zhvillojë një marrëdhënie “Partner në rritje”.

Ftesë

Kemi shumë dëshirë që ti të bëhesh pjesë e kishës sonë! Ti mund t’i japësh shumë Krishtit.

Privilegji ynë është të ndihmojmë njëri-tjetrin për ta jetuar dhe për ta përfunduar jetën si një ofertë të bekuar për Krishtin, i cili ishte i pari që dha jetën e Tij për ne. Të ftojmë me gjithë zemër të jesh anëtar i familjes sonë të besimit. Për këtë kërkohet:

  1. Pranimi i autoritetit të Biblës dhe i porosive të saj.
  2. Përqafimi i vizionit dhe i vlerave të kishës sonë.
  3. Një jetë në lutje nën hirin e Atit.
  4. Pjesëmarrje në takimin kryesor sipas mundësive.
  5. Pagëzimi.
  6. Përqafimi i ftesës për dhënie sipas mundësive.
  7. Dashuri dhe respekt ndaj vëllezërve dhe motrave jashtë familjes sonë të besimit.
  8. Përkushtim në një shërbesë ose në një grup të vogël sipas mundësive.

Shënim 1. Pjesëtarëve që e kanë të pamundur të marrin pjesë në takime, u sugjerojmë të njoftojnë stafin ose pleqtë e kishës, që të gjejmë së bashku zgjidhje krijuese, p.sh. për një nënë të re me tre fëmijë nën moshën pesë vjeç, ose për një besimtar që punon shumë orë shtatë ditë në javë. Do t’i lutemi Atit për mundësi miqësie dhe kujdesi me besimtarë të tjerë edhe kur takimet nuk arrihen. Takimet tona transmetohen live në faqen tonë në Facebook.

Shënim 2. Ka shumë kisha të tjera të mira në Tiranë. Nëse një besimtar nuk e përqafon vizionin, vlerat dhe praktikat e kishës sonë, udhëheqësia është shumë e gatshme të ndihmojë në gjetjen e një kishe më të përshtatshme.

Shënim 3. Çdo vëlla dhe motër është i mirëpritur të vijë si mysafir në kishën tonë për sa kohë të dojë. Përkushtimi në kishë bëhet vetëm kur personi ndihet me zemër gati.

Duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë, le t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjes së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar. Le ta mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi. Dhe le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t’u nxitur në dashuri dhe në vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit tonë bashkë, siç kanë zakon disa, por të nxisim njëri-tjetrin, aq më tepër kur e shihni ditën që po afrohet.

Letra e Hebrenjve 10:21–25

Premtimet e Perëndisë u realizofshin në brezin tonë!

Fryma e Zotit, Zotit, është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve, të shpall vitin e hirit të Zotit […], për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen […], me qëllim që të quhen lisa të drejtësisë, mbjellja e Zotit, për të paraqitur lavdinë e Tij. Ata do të rindërtojnë rrënojat e vjetra, do të rimëkëmbin vendet që janë shkretuar në të kaluarën, do të restaurojnë qytetet e shkretuara dhe të shkatërruara prej shumë brezash.

Isaia 61:1–4